Parku ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore ato jo prodhuese, shkëmbore si dhe trojet.
Është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Rajonin Juglindor të vendit, në sektorin e sipërm të pellgut ujëmbledhës të lumit të Bushtricës e të Qarrishtës dhe në malet përreth tyre; në lartësitë nga 300m deri 2,261m (Maja Rreshpës, në Shebenik).
Përbëhet kryesisht nga ultrabazikët, që formojnë një masiv të madh. Format akullnajore më të zhvilluara dhe më të ruajtura janë në shpatin verior dhe lindor, në lartësitë mbi 1,400m, ku shprehen sidomos me cirqe komplekse (i Rajcës, me liqene akullnajore), Pikës etj., dhe me lugje e shpatullore akullnajore. Vlerat e mëdha ekoturistike lidhen edhe me format e relievit relikt akullnajor, me 14 liqenet glaciare, me livadhet subalpine e alpine, me bukurinë e peizazhit, me kontrastet morfologjike, me burimet e ftohta etj.
Vlerat e këtij parku janë të jashtëzakonshme dhe me vlera të larta biodiversiteti, me bimë të rralla, endemike, subendemike të shumta, larmi ekosistemesh. Zhvillohen të katër brezat bimorë të vendit: nënkati i Shibliakut, i shkurreve mesdhetare, Dushqe, Ahishte e Halorë dhe Kullota alpine. Ndër llojet kryesore të bimësisë përmendim, pyjet e virgjra të Ahut, me moshë mbi 140 vjet, të shoqëruar nga Bredhi i bardhë, Arneni, Frashri, Ajdësi, Ajshja, Mështekna dhe lloje me prani më të rrallë, si: Plepi, Shelgu, Panja e malitetj.