Kalaja e Krujës është një nga kalatë me të njohura në Shqipëri. Kjo kala me trajtë eliptike, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Kalaja e Krujës u ndërtua gjatë shekujve të 5-të dhe 6-të. Muret rrethuese të saj janë të përforcuara nga 9 kulla të cilat shërbenin për vëzhgimin dhe marrjen e sinjalizimeve nga Kalaja e Petrelës dhe e Durrësit, gjatë periudhave të luftërave.
Kështjella është objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Përveç stendave që shpjegojnë veprimtarinë e Skënderbeut, me qëllim mbrojtjen e Shqipërisë nga pushtimi Osman, në muze do të gjeni edhe një librari, dokumente dhe botime në lidhje me personalitetin e Gjergj Kastriotit. Muzeu ka natyrë përkujtimore me elementë të tillë si harqe guri, foto në qelq. Brenda mureve të kalasë ka ende shtëpi ku vetëm në disa prej tyre ka jetë, aty ndodhet edhe xhamia e vogël e Dollmasë, madje në pjesën perëndimore të kalasë ndodhet edhe hamami i shekullit XV.
Përveç kalasë, një element tjetër që tërheq turistët është edhe rruga që të drejton për tek kalaja, përgjatë së cilës ndodhet pazari i vjetër mesjetar i Krujës, ku si veçori kryesore ka rrugën me kalldrëm dhe dyqanet e ndërtuara me dru.
Këtu turistët përveç peisazhit të bukur, mund të gjejnë mjaft objekte dhe suvenire siç janë punimet artizanale të filigramit, alabastrës, argjendit, bakrit, punimet e drurit, qilimave të leshit, antikuare e shumë krijime të tjera tepër interesante.
Historia që mbart kjo kala bën që edhe në ditët e sotme të jetë një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët.