Gjatë dekadës së fundit, zhytja profesionale në Shqipëri është zhvilluar ndjeshëm, duke u shndërruar në një aktivitet të ri argëtues brenda turizmit sportiv. Falë zhvillimeve të fundit dhe vijës bregdetare të pasur, Shqipëria ofron mundësi unike për zhytësit që dëshirojnë të eksplorojnë faunën e larmishme të Mesdheut në dy dete të ndryshme, si dhe të zbulojnë anije të mbytura që ndodhen në thellësitë e këtyre ujërave.
Për ata që janë të interesuar për zhytje në Detin Adriatik, mund të mbështeten në qendrat sportive nënujore të vendosura në veri të Vlorës. Ndërkohë, ata që duan të eksplorojnë pjesën e bregdetit shqiptar që i përket Detit Jon, do të gjejnë qendra të ngjashme që shtrihen nga Vlora deri në Sarandë.
Në Adriatik, sporti i zhytjes mund të praktikohet në Gjirin e Vlorës dhe Kepin e Rodonit. Në Bregdetin Jon, destinacione të njohura për zhytje janë zonat në veri të Sarandës, Dhërmiu dhe Jali.
Në vitet e fundit, ekspedita shqiptaro-amerikane kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zbulimin e anijeve të lashta të mbytura në këto ujëra, disa prej të cilave ndodhen në thellësi deri në 33 metra dhe arrijnë gjatësinë deri në 150 metra. Gjiri i Vlorës është shtëpia e disa prej këtyre thesareve nënujorë, përfshirë edhe anije të mbytura me vlera të mëdha historike.
Megjithatë, anija më e famshme dhe më e vizituar e mbytur në ujërat shqiptare është anija spitalore italiane “PO”, e cila u mbyt në mars të vitit 1941 pasi u godit nga një aeroplan britanik i quajtur “Swordfish.”
Në veri të Gjirit të Sarandës është zbuluar një tjetër anije që daton në shekullin e III ose IV p.e.s., e konsideruar si një nga reliket më të mirë-ruajtura në Mesdhe. Në afërsi janë gjetur edhe amfora të mëdha.
Përveç këtyre objekteve historike, zhytësit mund të shijojnë edhe pamjen e bukur nënujore të krijuar nga algat jeshile dhe të zeza, koralet dhe jeta tjetër detare.