Kuzhina tradicionale

Gatimet tradicionale të Tropojës bazohen kryesisht në prodhimet blegtorale, veçanërisht mish dhe bulmet. Në dimër, ushqimet kryesore janë mishi i thatë (pastërma), sunxhuku vendas dhe lakrat e fermentuara si lakra rasoi dhe lakra urov. Mishi përgatitet me kripë dhe tymoset mbi oxhak me bimë si dëllinja, duke u ruajtur për muaj të tërë. Përdorimi i gjalpit (t’lyeni), mazës (kajmakut), qumështit, kosit dhe gjizës është i përditshëm, ndërsa turshitë janë pjesë e pandashme e tryezës.

Ndër gatimet më karakteristike janë çorba dhe qervishi, të përgatitura me miell misri, mish dhe gjalp. Flia, pitja, laknuri, kaçamaku dhe qeshkeku shërbehen në raste festash apo përditshmëri, duke ruajtur teknikat tradicionale të pjekjes me saç. Në ëmbëlsira veçohen rezhniku (qumështori), hallva, ravonia, shëndetlia, bakllavaja dhe lakrori me miell gështenje dhe arra. Frutat e stinës ruhen për dimër përmes tharjes (oshaf) ose përgatitjes së reçelrave me ftonj, mollë, fiq e kumbulla. Këto gatime pasqyrojnë traditën, bujarinë dhe lidhjen e fortë me natyrën të banorëve të Tropojës.

Facebook
LinkedIn
Email
X