Lugina e lumit të Valbonës

Lugina e lumit të Valbonës është ndër atraksionet kryesore jo vetëm të Tropojës, por edhe të Shqipërisë. Si zona e dytë malore më e vizituar në Shqipëri (pas Thethit), ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 8000 ha dhe ndodhet 23 km larg qytetit të Bajram Currit.

Lugina është një monument natyror i mbrojtur nga shteti i shpallur “Parku Natyror Kombëtar”. Ajo ka marrë emrin nga lumi i Valbonës që është rreth 50.6 km i gjatë, i cili nis nga Qafa e Valbonës dhe përfundon në Luginën e Drinit, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Lumi karakterizohet nga ujë i ftohtë dhe i kulluar, i analizuar si më i pastri në Shqipëri.

Karakteristikë tjetër e lumit Valbona është “trofta pikaloshe” dhe ujëvarat e shumta, veçanërisht ajo e Rragamit e cila krijon një numër të madh kanionesh. Përgjatë gjithë luginës janë ndërtuar rreth 24 hotele dhe shtëpi pritëse në shërbim të turistëve vendas dhe atyre të huaj. Ky park kombëtar vizitohet më së shumti nga muaji maj deri në shtator dhe gjatë muajve të verës numri i vizitorëve rezulton mesatarisht 700 turistë në ditë.

Përveç hoteleve, restauranteve, shtëpive pritëse dhe bujtinave, në Luginën e lumit të Valbonës gjenerojnë dhe 2 kampingje të cilat akomodojnë rreth 45 turistë në ditë. Parku Kombëtar i Valbonës është i përshtatshëm për ecje, eksplorim në natyrë, alpinizëm, peshkim, si dhe mjaft shpella në brendësi të tij për t’u vizituar, ku spikat Shpella e Dragobisë.

Facebook
LinkedIn
Email
X