Galeri Arti

Galeria e Artit në Lezhë ndodhet në katin e parë të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” dhe përbën një nga hapësirat më të rëndësishme të artit pamor në veri të vendit. Pas një procesi të plotë restaurimi, galeria ka rifituar gjallërinë e saj si një qendër e dedikuar ndaj promovimit të artistëve dhe zhvillimit të kulturës vizuale në qytet.

Në kuadër të këtij rinovimi, është restauruar edhe fondi prej 86 veprash artistike, piktura dhe skulptura që përbëjnë koleksionin e përhershëm të galerisë. Ndërhyrjet kanë përfshirë ndërrimin e kornizave, riparimin e telajove të dëmtuara dhe instalimin e ndriçimit të ri, duke krijuar një ambient më tërheqës dhe profesional për ekspozim.

Kjo galeri është konceptuar si një qendër e hapur për ekspozita, punëtori dhe veprimtari artistike, duke synuar të tërheqë stile të ndryshme krijimi dhe artistë nga treva të ndryshme të Shqipërisë. Ajo shërben si një hapësirë e rëndësishme për të ekspozuar veprat e artistëve vendas dhe kombëtarë, si piktura, skulptura apo instalacione bashkëkohore.

Një nga aktivitetet e fundit të mbajtura në këtë galeri ka qenë ekspozita me 12 skulptura nga autorë të ndryshëm shqiptarë, e cila dëshmon për vitalitetin e jetës kulturore në Lezhë dhe përkushtimin e institucionit ndaj promovimit të artit pamor.

Facebook
LinkedIn
Email
X