Fam-trip me delegacionin hollandez të kompanisë Transavia

Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi një tur informues për delegacionin hollandez të kompanisë Transavia përfshirë Ceo i Kompanisë Ajrore “Transavia” z. Marcel De Nooijer, si dhe tour operatorë dhe gazetarë hollandezë, të cilët vizituan Shqipërinë më 15-17 Prill nisur nga fillimi i fluturimeve direkte Amsterdam-Tiranë-Amsterdam.

Ditën e parë në Tiranë, u organizua një pritje e delegacionit në rezidencën e Ambasadorit të Hollandës në Shqipëri, z. Reinout Vos, në të cilën mori pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela.

Ditën e dytë, përmes programit dhe sugjerimeve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, të shoqëruar nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe guida profesionale z. Olsi Lafe, delegacioni hollandez vizitoi atraksionet kryesore të Tiranës dhe më pas vijoi me një tur në liqenet e Belshit, një mrekulli mesdhetare e zonës së Dumresë, vizitë në qytetin Unesco të Beratit, i cili i surprizoi vizitorët me magjinë e tij ndërshekullore. Lagjja Mangalem, Muzeu “Onufri”, Kalaja e Beratit, rrugicat e bukura me kalldrëm, Kantina “Çobo” ku u njohën me historikun dhe filozofinë e tij si dhe shijuan një eksperiencë të veçantë të kulinarisë shqiptare, ishin vendet që delegacioni vizitoi në qytetin e “Një mbi një dritareve”.

Në Vlorë delegacioni u prit përzemërsisht nga vetë kryebashkiaku z.Ermal Dredha, i cili shprehu kënaqësinë e tij që në këtë tur u përzgjodh edhe Vlora. Shëtitja në ishullin e Zvërnecit, përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, ku ndihet fuqishëm investimi në infrastrukturë dhe përmbyllja e këtij rrugëtimi me Durrësin mijëravjeçar ku u vizitua Kulla Veneciane dhe Amfiteatri i Durrësit, ishin veçse disa momente kulmore të një vizite, efektet e të cilës po përkthehen me rritjen e interesit të vizitorëve hollandezë për të vizituar Shqipërinë.

Facebook
LinkedIn
Email
X