Parku Kombëtar “Korab-Koritnik”

Parku Natyror Korab- Koritnik ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 55,550.2 hektarë, nga të cilat në qarkun e Kukësit ndodhen 34886.8 hektarë dhe në qarkun e Dibrës 20,663.4 hektarë.

Pjesën kryesore të territorit e zënë sipërfaqet me kullota e livadhe, të ndjekura nga sipërfaqet pyjore e me bimësi pyjore, sipërfaqet joprodhuese, sipërfaqet bujqësore, si dhe sipërfaqet urbane e troje të përziera me tokë bujqësore e pyjore. Sipërfaqja e Parkut Natyror Korab-Koritnik në rrethin e Dibrës është e shpërndarë në shtatë njësi administrative. Njësia Administrative e  Kala e Dodës zë sipërfaqen më të madhe nga të gjithë njësitë administrative të Dibrës, e ndjekur nga Njësia Administrative Melan, Maqellarë, Sllovë e kështu me radhë deri në Njësinë Administrative Tomin që ka sipërfaqen më të vogël në këtë Park Natyror. Majat e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, janë në radhë dhe kanë një bukuri të rrallë.

Kreshtat janë formacione gëlqerore dhe gjipsi të mbuluara me bimë barishtore dhe kullota alpine me lloje të ndryshme lulesh dhe gjelbërim të këtyre tokave gjatë pranverës dhe verës. Lloje të ndryshme lulesh, burime të ftohta uji, ujëvara, liqene natyrorë dhe artificialë, pemë me gjelbërim të përhershëm ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Vende si Kalaja e Dodës, me majën e malit të Korabit dhe kullotat alpine, zonën e Gramës dhe kullotat e saj, me liqene karstike natyrorë dhe ato artificialë së bashku me pishat dhe bredhat me gjelbërim janë perlat e parkut natyror. Oferta turistike përfshin gjithashtu ajrin e pastër, ujin e ftohtë dhe të shijshëm, produktet blegtorale, si mishi dhe bulmeti i cilësisë më të mirë.Ky park përfshin 17 monumente natyrorë.

Facebook
LinkedIn
Email
X