Kalaja e Grazhdanit është shpallur monument culture me datë 15 janar 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës Sipërfaqja e saj është rreth 34 hektarë, perimetri 2760 metër, gjerësia e mureve 2.8 metër dhe lartësia 4.5 metër. Kalaja kishte tre hyrje, me hyrjen kryesore me përmasa 9×14 metër dhe 40 kulla mbrojtëse.
Vendbanimet përreth saj përfaqësojnë fshatra ilire të periudhës së shekujve IV-II p.e.s. Epiqendra ku mblidheshin e shpërndaheshin rrugët e Dibrës në Antikitet ka qenë qyteti i Grazhdanit, sot rrënojat e kalasë në fshatin me të njëjtin emër. Përmasat e mëdha të mureve rrethuese, të mbrojtura edhe nga kullat mbrojtëse, tregojnë se ata mbronin njërin nga qytetet më të mëdha të vendit. Muret rrethuese datohen në fillim të shek. IV.
Qyteti i Grazhdanit ishte nyja më e rëndësishme rrugore e krahinës, ku niseshin rrugët për në Maqedoni, Ohër e më tej në Bizant, për Elbasan, Tiranë e Durrës, për në Lezhë e Shkodër. Kjo kala ndodhet 13 kilometra larg qytetit të Peshkopisë, buzë rrugës nacionale Peshkopi-Tiranë, në të djathtë të saj dhe në lindje të fshatit me të njëjtin emër.
Kalaja e Grazhdanit është gjithashtu edhe monumenti sipërfaqësor më i madh i Dibrës. Pjesa më e madhe e objekteve të zbuluara në këtë kala ndodhen në muzeun në Peshkopi. Është castrumi më i madh në Shqipëri e ndër më të mëdhatë në rajon dhe bën pjesë në NJA Maqellarë.