Lura është shpallur Park Kombëtar në vitin 1966, me një sipërfaqe 1280 hektarë. Ndodhet rreth 44 kilometër larg qytetit të Peshkopisë dhe 135 kilometër nga Tirana, duke ndjekur aksin nga Rrësheni. Shtrihet në kuotat 595 metër deri në 2121 metër mbi nivelin e detit.
Bën pjesë në njësinë administrative me emër të njëjtë. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së parkut kombëtar është pyje dhe kullota. Elementët gjeografikë dhe turistikë që e bëjnë të njohur Lurën, janë liqenet e saj akullnajorë. Në territorin e parkut kombëtar gjenden disa kafshë dhe bimë endemike të cilat rrezikojnë të zhduken apo janë zhdukur. Parku Kombëtar i Lurës është vend me bukuri të rralla turistike.
Në faqen verilindore të Nezhdës së Lurës, gjenden 12 liqene të vegjël e të mëdhenj dhe të gjithë janë alpinë. Liqenet ekstremë janë Liqeni i Luleve në jug dhe ai i Lopëve në veri të Nezhdës. Në periudhën e dimrit të gjithë liqenet ngrijnë duke u kthyer në fusha akulli, mbi të cilët trashësia e shtresës së dëborës arrin deri në 2-3 metër. Këto liqene akullnajorë ndodhen në lartësinë mbi 1580 metër mbi nivelin e detit në afërsi të Kunorës së Lurës.
Ato formojnë një ekosistem me bukuri të rrallë, tipike e liqeneve alpinë dhe të pasur nga bota e gjallë bimore e shtazore. Më i njohur dhe më interesant është Liqeni i Luleve, sipërfaqja e të cilit mbulohet nga zambakët e ujit gjatë periudhës së ngrohtë të vitit. Liqenet ndodhen larg njëri-tjetrit në një rreze rreth 7 kilometër.
Lura dallohet për një trashëgiminatyrore dhe kulturore mjaft të pasur. Përveç monumenteve që përmendëm më lart, janë shpallur monumente natyre: Fusha e Pelave, Gryka e Madhe, Morenat e Fushë Lurës, Cirku i Kunorës së Lurës, Hartinat e Lurës dhe Rrobulli i Lurës.Monumente kulture janë shpallur banesa e Zef Doçit dhe ajo e Selman Tollës në fshatin Fushë Lurë. Lura përshkohet nga dy lumenj, Malla e Seta, dhe shumë përrenj që burojnë nga liqenet. Lumenjtë janë malorë me veçori e bukuri karakteristike.