Rruga Egnatia

 Rruga “Egnatiaˮ është  një rrugë e ndërtuar nga romakët në shek. II para Krishtit. Ajo është vazhdimi i rrugës “Apiaˮ. Në fillim, gjatë periudhës republikane, rruga “Egnatiaˮ kishte karakter ushtarak e lidhur kjo me luftërat romako-maqedonase, derisa Maqedonia u bë provincë romake. Më vonë, ajo u bë një arterie ekonomike e rëndësishme që lidhte gadishullin e Apenineve dhe një pjesë të mirë të Evropës me Ballkanin e Jugut, Azinë e Vogël me Lindjen e Afërme e deri në Mesapotami. Rruga “Egnatiaˮ kishte dy pikënisje në Shqipëri, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Apolonia. Në Elbasan, rruga “Egnatiaˮ  kalon mespërmes qytetit, duke ardhur nga Zaranika, hyn në portën perëndimore të kalasë dhe del në anën lindore.  Ekzistenca e Skampisit dhe më vonë Elbasanit ka qenë lidhur ngushtë me këtë rrugë.

Facebook
LinkedIn
Email
X