Sheshi Skënderbej

Sheshi Skënderbej përfaqëson një nga hapësirat publike më të rëndësishme dhe më të njohura të Tiranës, i zhvilluar në periudha të ndryshme historike dhe i rikualifikuar në formën e tij aktuale në vitin 2017. Projekti i rindërtimit u vlerësua ndërkombëtarisht, duke fituar European Prize for Urban Public Space në vitin 2018 si edhe çmimin Design of the Year – Architecture nga London Design Museum.

Zona është e rrethuar nga institucione kryesore të vendit si Muzeu Historik Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, Biblioteka Kombëtare, Bashkia e Tiranës dhe Banka e Shqipërisë, të cilat e bëjnë këtë hapësirë një pikë referimi të rëndësishme për vizitorët. Sipërfaqja e sheshit është e shtruar me gurë natyralë të mbledhur nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, duke krijuar një identitet unik urban dhe kulturor, ndërsa hapësirat e gjelbra ofrojnë një mjedis të hapur dhe të aksesueshëm për publikun.

Sheshi Skënderbej përdoret gjerësisht për evente kulturore,festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspozita dhe aktivitete artistike, duke u shndërruar në një nga destinacionet kryesore për ata që dëshirojnë të njihen me zhvillimin arkitektonik, funksionin institucional dhe jetën urbane të kryeqytetit shqiptar.

Facebook
LinkedIn
Email
X