Xhamia e Allajbegisë është shpallur monument kulture me datë 30 maj 1970 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Xhamia është ndërtuar në vitin 1585, ka formë kubike me kupolë si dhe sallën e lutjeve me përmasa 6.4×6.27 metër. Minarja e saj ka bazament shumëfaqësh dhe 10 dritare me korniza guri.
Teknika e ndërtimit është artizanale, sipas kulturës Shqiptare. Guri, tulla dhe gëlqerja është përdorur për ndërtimin e murit. Çatia e xhamisë është në formë kupole dhe e mbuluar me tjegulla ne formë “U”. Brenda xhamisë ka edhe një sallë studimi. Kjo xhami ndodhet në lindje të fshatit Burim, në të majtë të rrugës automobilistike Peshkopi-Tiranë.