Deti Adriatik, pjesë e Detit Mesdhe, është njëri prej dy deteve, që lag brigjet e Shqipërisë në Perëndim dhe kufiri detar, i cili e lidh vendin tonë me bregdetin lindor të Italisë dhe jugun e Kroacisë. Përgjatë tij bregu është kryesisht ranor. Në Detin Adriatik derdhen shtatë lumenj, që rrjedhin përmes tokave shqiptare si: Drini i Bardhë, Drini i Zi, Vjosa, Buna, Mati, Shkumbini dhe Semani.

Bregdeti Adriatik në Shqipëri shtrihet nga Velipoja deri në Gjirin e Lalëzit dhe karakterizohet nga plazhe të gjata me rërë të imët, shpesh të rrethuar nga pyje me pisha. Për të gjithë të apasionuarit e turizmit, që dëshirojnë të zbulojnë brigjet e ngrohta të Adriatikut mund të përzgjedhin plazhet e Velipojës, Tales, Shëngjinit, Durrësit, Golemit, Spillesë, Divjakës, Darëzezës dhe plazhi i vjetër i Vlorës, midis thesareve ujore të Shqipërisë. Ky bregdet është i përshtatshëm për pushime familjare, aktivitete ujore dhe shëtitje, duke tërhequr turistë vendas e të huaj kryesisht gjatë sezonit veror. Në krahasim me bregdetin Jon, Adriatiku dallohet për plazhet e sheshta dhe ujërat më të qeta. Bregu i Detit Adriatik Shqiptar përjeton një klimë mesdhetare. Bregdeti përjeton katër sezone të dallueshme. Dimri është relativisht i lagësht dhe i butë, dhe vera zgjat shumë gjatë dhe zakonisht është e nxehtë dhe e thatë. Vjeshta dhe pranvera janë stina kalimtare. Vrojtuesit e shpendëve të rrallë dhe ata që interesohen për ekoturizmin, parajsën e tyre studimore e gjejnë në lagunat e pasura të bregdetit Adriatik si edhe ekosistemet e mbrojtura natyrore, në zonën e Divjakës dhe Karavastasë, në lagunën e Godullës, lagunën e Kune Vainit në Lezhë, liqenin e Shkodrës në veri dhe lagunën e Nartës në jug, etj.