Kisha e Shën Gjergjit është shpallur Monument Kulture, ndërtuar në vitin 1776, me vlera të rralla ikonografike, kulturore dhe historike, pikturuar nga Kostandin dhe Tërpo Zografi në vitin 1782. Përveç skenave kishtare ato paraqesin edhe sot figura popullore, jo vetëm me kostumin karakteristik të Myzeqesë, por edhe në etnografinë aq të njohur të kësaj krahine. Është një nga kishat ikonë dhe ndër më të bukurat e Myzeqesë, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare. Kisha e Shën Gjergjit është përfaqësuese tipike e një varianti të veçantë ndërtimesh kishtare, përhapur në krahinën e Myzeqesë gjatë shekullit XVII – XIX.
Kisha e Shën Gjergjit, Libofshë, ndodhet rreth 14 km larg qytetit të Fierit, në një pozicion dominues mbi fushën e Libofshës e cila vizitohet nga turistë dhe vizitorë të ndryshëm të qytetit të Fierit në periudha të ndryshme të vitit.