Mali i Munellës

Është një monument natyre me lartësi 1991 metra mbi nivelin e detit. Maja e Krojkut (kryqit) është maja më e lartë e një vargu që shtrihet nga verilindja në jugperëndim, me karakter alpin në pjesën e sipërme, me shpatë të thikta, gryka të thella dhe kullota të gjëra alpine. Masivi i Munellës përbëhet kryesisht nga shkëmbinj vullkanikë, të mbuluar nga pllaka gëlqerore. Nën veprimin e ujërave janë formuar peisazhe mahnitëe karstike.

Grykat, burimet karstike, gropat, pellgjet karstike, hendeqet e lugëta magjepsin dhe dhurojnë ujin e pijshëm e ajrin e pastër, si një trashëgimi e pasur me vlera natyrore e kulturore. Munella ofron habitat për arinjtë, ujqërit, kaprojtë, dhitë e egra. Është streha e fundit e rrëqebullit të ballkanit, një specie e rrezikuar. Dominuese, fisnike, ftuese dhe e distancuar në të njëjtën kohë, me biodiversitet të lartë Munella duket sikur mban kurorën e mbretërimit mbi Mirditë dhe zonat fqinje. Disa shtigje të markuara bejnë të mundur të ngjitesh në Malin e Munellës. Shtigjet kanë pikënisje në fshatrat Spaç, Bisakë, Klos dhe Domgjon.

Facebook
LinkedIn
Email
X