Fam-trip i organizuar për blogerët Izraelitë

Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Kryeministrinë dhe agjencinë turistike Albanian Trip, organizoi në datat 2 – 9 Prill 2025, një tur informues me qëllim promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik me atraksione natyrore të pasura, drejtuar një audience të rinjsh dhe familjesh që kërkojnë mundësi për t’u larguar nga rutina dhe për t’u relaksuar.

Ky fam-trip synoi ofrimin e një përvoje autentike, e cila ishte mjaft e përshtatshme për profesionistët e rinj të cilët preferojnë aktivitete në natyrë dhe një pushim në një mjedis të qetë.

Grupi i blogerëve të cilët morën pjesë në këtë fam trip përbëhej nga 5 persona, të cilët operojnë për një audiencë izraelite dhe hebraisht folëse. Ndjekësit e tyre janë kryesisht profesionistë të rinj që janë të interesuar të eksplorojnë destinacione të reja, duke promovuar aktivitete natyrore dhe pushime në bregdet, liqene dhe male.

Grupet e rinj izraelitë janë një segment i rëndësishëm për turizmin shqiptar, veçanërisht pas nisjes së fluturimeve direkte midis Tel Avivit dhe Tiranës. Turistët izraelitë janë të interesuar për destinacione të pazbuluara që ofrojnë përvoja autentike dhe mundësi për turizëm aktiv. Ky grup është gjithashtu shumë aktiv në rrjetet sociale dhe ndan përvojat e tij duke ndikuar në promovimin e turizmit të natyrës.

Fam trip-i pati një sukses të jashtëzakonshëm, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion turistik tërheqës për blogerët izraelitë dhe për t’u lidhur me një audiencë të re, të orientuar drejt aventurës dhe eksplorimit. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të krijonin përmbajtje cilësore dhe të ndanin përvojat e tyre me ndjekësit, duke kontribuar në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i pasur me natyrë, kulturë dhe mundësi për aktivitete të ndryshme.

Përshtypjet ishin jashtëzakonisht pozitive, sidomos për aventurën që ata patën në Shqipëri. Mikpritja, historia, natyra, kulinaria, energjia pozitive, si dhe durimi dhe puna e palodhur e ekipit që u angazhua, u vlerësuan shumë nga vizitorët, të cilët kishin shumë përvojë në udhëtime ndërkombëtare.

Facebook
LinkedIn
Email
X