Fam-trip me gazetaren e pavarur të gazetës Daily Mail, Mbretëri e Bashkuar

Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi një Fam-trip me gazetaren e pavarur të gazetës Daily Mail, znj. Jo Kessel, e cila vizitoi bredgetin e Shqipërisë më 24-28 Qershor 2024, me qëllim shkrimin e një artikulli rreth pushimeve në bregdetin shqiptar për gazetën Daily Mail.

Pas Fam-tripit të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, në faqen e parë të britanikes Daily Mail, Riviera Shqiptare u prezantua me bukuritë magjepsëse, plazhet e kaltra, shërbimet dinjitoze dhe çmimet e arsyeshme.

Gazetarja Jo Kessel rrëfeu në shkrimin e saj vizitën në qytetin antik të Durrësit, ku përshkruan përjetimin magjik prej Amfiteatrit, Torës Veneciane dhe shërbimeve dinjitoze të Premium Beach hotel në Golem.

Vlorën e përshkruan si një qytet të gjallë, ku veçon bukurinë e Lungomares dhe sugjeron resortin Marinabay, si një vend ideal për të pushuar. Në rrëfimin e saj nuk mungon mahnitja nga Parku Arkeologjik i Butrintit dhe standardi mikpritës i resortit Bougainville bay në Sarandë.

Kurioziteti i saj ndalet te ishujt magjepsës të Ksamilit, ku rrëfen pikërisht pse Ksamili ndryshe quhet Maldivet e Europës dhe sugjeron Poda Boutique hotel, Ksamil për të provuar kulinarinë e pasur të zonës përballë ujërave të kaltër dhe të pastër.

Në vizitën e saj në Dhërmi, gazetarja britanike përshkruan me vlera të larta arkitekturore resortin Zoe Hora, dhe shprehet se ky model zhvillimi paraqet një infrastrukturë të përkryer ku ndërthuret tradita me modernizmin.

Në këtë tur informues, stafi i AKT-s në drejtimin e znj. Zana Çela, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, u angazhua me prezantimin e materialeve promovuese të Shqipërisë turistike në të gjitha destinacionet e lartpërmendura dhe zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të bizneseve të hotelerisë në Durrës, Vlorë, Dhërmi, Sarandë dhe Ksamil, si dhe prezantoi Aplikacionin TEA dhe u tregoi atyre mënyrën e përdorimit të tij, shërbimet e reja që ofron Aplikacioni TEA.

Facebook
LinkedIn
Email
X