Shijaku është qyteti që ruan traditat dhe ecën me vizion drejt së ardhmes. Është themeluar nga Sali bej Deliallisi më 1880. Shijaku ndodhet midis dy qyteteve kryesore të vendit, Tiranës dhe Durrësit. Pozicioni gjeografik i favorshëm, klima mesdhetare dhe afërsia me autostradën Tiranë–Durrës e bëjnë Shijakun një zonë tërheqëse si për banim, ashtu edhe për zhvillim ekonomik dhe turistik.
Shijaku është një vend që ndërthur traditën, natyrën dhe mikpritjen shqiptare. Fshatrat e Shijakut ofrojnë mundësi të shumta për agroturizëm, ku vizitorët mund të shijojnë produkte vendase bio, ushqim tradicional dhe një përvojë autentike të jetës në fshat. Afërsia me bregdetin e Durrësit dhe rrugët lidhëse drejt zonave kodrinore e bëjnë Shijakun një destinacion në zhvillim për turizmin familjar dhe natyror, ku vizitorët mund të kombinojnë pushimin me eksplorimin natyror.
Ura mbi lumin Erzen përfaqëson identitetin, historinë dhe është simbol i qytetit dhe i shijakasve.
Shijaku mirëpret vizitorët me natyrën e bukur e të qetë, shijen e traditës, historisë dhe mikpritjes së njerëzve të tij.




