Veshjet popullore përbëjnë një nga elementët më të rëndësishëm të kulturës materiale dhe identitetit të komuniteteve të Dropullit dhe Pogonit, duke reflektuar jo vetëm stilin dhe estetikën, por edhe traditat, statusin social dhe besimin.
Dropulli dhe Pogoni, dy zona historike dhe kulturore të jugut, dallohen për pasurinë dhe larmishmërinë e veshjeve tradicionale, të cilat janë ndikuar nga faktorë të ndryshëm ekonomikë dhe socialë. Veshjet tradicionale prodhoheshin kryesisht nga leshi dhe lini. Në zona të caktuara blegtorale përdorej më së shumti leshi i deleve.
Pas shekullit XIX, migrimet e burrave drejt Turqisë, Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara sollën ndryshime në prodhimin e veshjeve: ato filluan të qepeshin me mallra importi dhe nga rrobaqepës të specializuar jashtë ekonomisë shtëpiake. Në këtë periudhë vihet re përdorimi i teknikave të ndryshme të qëndisjes dhe i ngjyrave të theksuara, veçanërisht i blusë së errët dhe nuancave të zezës, karakteristika të përbashkëta të veshjeve të grave.
Dropull
Te gratë e Dropullit bie në sy përdorimi i shajakut, këmishës së gjatë dhe mbulesës së kokës. Veshjet e grave të Pogonit të Sipërm reflektojnë ndikime të qarta qytetare. Ato ishin të punuara artistikisht bukur dhe me dy shkallëzime, në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Përdorimi i ngjyrave dhe zbukurimeve tregon për statusin social dhe lidhjet kulturore me qytetet fqinje.
Veshja e nusërisë së Dropullit është si një stoli vezulluese. Ajo përfaqëson një kryevepër të artit popullor të Dropullit. Ky kostum njihet e vlerësohet gjerësisht dhe ka një vlerë të paçmueshme, si dëshmi e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të zonës. Veshja e nusërisë dropullite është një kostum plot shkëlqim dhe me bukuri të veçantë. Ajo bart një ndjesi hyjnore dhe një magji të fshehtë që i jep vlerë të jashtëzakonshme. Në këtë veshje mbizotëron ngjyrat e bardha, simbol i pastërtisë dhe i përjetësisë që nga lashtësia. Roli dytësor i takon të kuqes, simboli i dashurisë dhe e zjarrmisë, ndërsa e zeza shfaqet rrallë, në detaje të qëndisjeve dhe thekëve. Ndryshimet më të mëdha mes Dropulli të Sipërm dhe Dropullit të Poshtëm shfaqen në lidhjen e kokës, tek brostela (shamia e gjoksit) si dhe tek ngjyra dhe teknika e qëndisjes. Këto dallime pasqyrojnë larminë kulturore brenda së njëjtës traditë, duke pasuruar më tej trashëgiminë e Dropullit.
Me kalimin e kohës dhe të moshës, gratë e Dropullit ndryshonin gradualisht veshjet e tyre, kryesisht në ngjyrë dhe zbukurim, në mënyrë që të përshtateshin me moshën dhe fazën e jetës së tyre.
Në moshën 35–40 vjeçe: gratë e reja preferonin ngjyra të ndritshme, si e kuqja dhe jeshilja, që theksonin rininë dhe gjallërinë e tyre.
Në moshën 50 vjeç: dominonin tonet më të buta, si bluja e hapur ose kafeja e çelët.
Pas moshës 60 vjeçe: preferoheshin ngjyrat e errëta, si bluja e thellët dhe kafeja, që pasqyronin seriozitetin dhe pjekurin. Elementët e veshjes
Një element i rëndësishëm dallues ishte shamija e kokës. Gratë më të reja e zbukuronin me zbukurime dhe stoli, ndërsa me kalimin e kohës mbizotëronin ngjyrat e errëta në një stil më të thjeshtë.
Burrat zakonisht vishnin rroba më të thjeshta dhe funksionale, por pas migrimeve të shekullit XIX, edhe veshjet e tyre pasuruan me elemente të importuara dhe qëndisje më të sofistikuara, të përshtatura për festa dhe raste solemne.
Larmishmëria e veshjeve në Dropull dhe Pogon nuk lidhet vetëm me materialet apo teknikën, por edhe me faktorë të tillë si migrimi dhe kontakti me qytetet e huaja, statusi shoqëror dhe ekonomik, përkatësia fetare dhe traditat lokale, si dhe ngjyrat dhe qëndisjet, të cilat dallonin sipas shtresave dhe fshatrave. Të pasurit zakonisht qëndisnin me ar, ndërsa shtresat më modeste përdornin fije me ngjyra të ndryshme.
Pogon
Relievi natyror i zonës së Pogonit, martesat me Lunxhërinë dhe emigracioni ndikuan në veshjet tradicionale të zonës së Pogonit. Edhe pse nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht kur u hoq përdorimi i veshjes së vjetër, veshja e zezë hyri në traditë si pasojë e emigracionit rreth mesit të shekullit të XVIII-të. Çdo fshat ka veshjen e vet tradicionale me variante të ndryshme. Në fshatrat e Pogonit ndeshen dy lloje kryesore: kavadi (ose “veshje” më të thjeshta dhe të errëta) dhe veshja e Pogonit, e bardha me ngjyrat karakteristike të Sopikut.
Këto dy stile përfaqësojnë dy tradita të ndryshme brenda të njëjtit rajon, të formuara nga ndikimet gjeografike, shoqërore dhe kulturore. Veshja e Sopikut është një zgjerim i veshjes tradicionale të Pogonit grek. Aty dallohen dy lloje: veshja e përditshme e grave, me element dallues “ombola” në kokë, dhe veshja e nusërisë, ku në kokë mbahet shamia e zbukuruar me florinj.
Këto dy element tregojnë qartë dallimin midis jetesës së përditshme dhe momentit të martesës.
Në fshatrat e tjerë të Pogonit si Poliçan, Skore, Hllomo dhe Çatistë, mbizotëron veshja e zezë, “kavadi”. Ngjyra e zezë, sipas dëshmive, lidhet me emigracionin dhe zinë. Kavadi ishte bërë nga copë e trashë leshi, e zbukuruar dhe qëndisur me motive të artë dhe jeshile. Kishte edhe veshje më formale, e bërë nga kadifeja, që vishej në raste të veçanta, ngjashëm me veshjen e zonës së Lunxhërisë. Zgjedhja midis këtyre veshjeve varej nga gjendja ekonomike e çdo familjeje.
Karakteristike ishte që të gjitha vajzat kishin në pajën e tyre të paktën një veshje tradicionale.