Iso-polifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë botërore

Iso-polifonia popullore shqiptare, është “Kryevepër e trashëgimisë të njerëzimit”, e mbrojtur nga UNESCO. Ajo u bë pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 25 Nëntor 2005. 

Iso-polifonia shqiptare është sipas studiuesve të folklorit një ndër kryeveprat e folklorit muzikor shqiptar po dhe të traditës botërore folklorike në përgjithësi.

Iso polifonia dy zërëshe, e konsideruar si forma më e thjeshtë e polifonisë shqiptare, është e përhapur në të gjithë jugun e Shqipërisë. Iso-polifoninë dy zërëshe e hasim si tek gratë ashtu edhe tek burrat. Përhapja gjeografike prek pa dallim pothuajse të gjithë hapësirën gjeografike të përfshirë në Toskëri dhe në Labëri si në rrethet e Korçës, Librazhdit, Pogradecit, Kolonjës, Fierit, Shpatin e sipërm të Elbasanit, , Myzeqenë e Vlorës, qytetin e Vlorës, lumi i Vlorës, fshatrat e Beratit, Mallakastër, Gjirokastër-qytet, Lunxhëri, etj. 

E ndeshim këtë lloj dyzërëshi edhe në Arbëreshët e Kalabrisë ku ka një përhapje dhe një përdorim të gjerë edhe sot e kësaj dite. 

Iso polifonia tre zërëshe është mbizotëruese në repertorin iso-polifonik popullor të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, apo e njohur si iso-polifonia vokale, dhe ajo qytetare e shoqëruar me saze. Kjo është forma bazë e shfaqjes së polifonisë sonë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por ata kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë. Iso-polifonia tre zërëshe në pjesën më të madhe të rasteve është e kënduar nga burrat. 

Kjo formulë origjinale e polifonisë sonë u trashëgua edhe në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe në muzikën iso-polifonike me saze. Isopolifonia shqiptare karakterizohet nga këngët e përbëra nga dy pjesë solo, një melodi dhe një kundërmelodi me dron koral. Struktura e pjesëve solo ndryshon sipas mënyrave të ndryshme të interpretimit të dronit, i cili ka një larmi të madhe strukturash, veçanërisht në stilin popullor të përshtatur nga të gjitha grupet që performojnë këtë muzikë. 

Muzika iso-polifonike shoqëron një gamë të gjerë ngjarjesh shoqërore, si dasma, funerale, festa lokale, festime fetare dhe festivale kombëtare si Festivali i mirënjohur Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

Gjatë dekadave të fundit, rritja e turizmit kulturor dhe interesi në rritje i komunitetit studiues për këtë traditë unike popullore kanë kontribuar në ringjalljen e iso-polifonisë shqiptare.

Facebook
LinkedIn
Email
X