Kalaja e Rozafës

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në një pozicion strategjik, që kontrollon të gjithë territorin përreth saj. Në perëndim të kalasë mund të shihni lehtësisht pikën e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, të cilët përshkojnë qytetin e Shkodrës dhe teksa gërshtohen sëbashku dhurojnë pamje mahnitëse të qytetit verior, nga ku mund të realizoni fotografi të pakrahasueshme. Kalaja e Rozafës është me origjinë ilire dhe emri i saj “Rozafa” vjen nga periudha e mesjetës.

Me këtë emër lidhet edhe legjenda, e cila flet për një nga virtytet më të shenjta të shqiptarit që është “besa – mbajtja e fjalës së dhënë”. Përmbajtja e legjendës lidhet me murimin e Rozafës, nuses së vëllait të vogël të tre vëllezërve, që i ndërtonin muret e kalasë ditën dhe ato u shkatërroheshin natën. Në hyrje të kalasë gjendet basorelievi i Rozafës. Uji gëlqeror, që rrjedh në hyrjen kryesore përfaqëson qumështin e gjirit, që sipas gojëdhënës, Rozafës iu la jashtë për të ushqyer fëmijën. Formën e sotme kalasë ia ka dhënë familja feudale e Balshajve, në periudhën e sundimit të tyre gjatë shekullit XIV, por sot pjesa më e madhe e kështjellës i përket periudhës së Venedikut. Po ashtu, edhe pushtimi osman ka lënë gjurmët e veta.

Rozafa është një nga kalatë më të rëndësishme në Shqipëri dhe shërben si objekt kryesor turistik i qytetit të Shkodrës. Vizitorët mund të njihen me historinë e qytetit, ngjarje të ndryshme e personalitete të rëndësishme, përmes gravurave, riprodhimeve të dokumentave arkivore e të veprave të artit të kohëve të ndyshme. Duke vizituar këtë kala përveç peizazhit fantastik, mund të shijoni fenomenin natyror të takimit të lumenjve dhe të prekni historinë më dorë. 

Facebook
LinkedIn
Email
X